Enesi, r.a., përcjell: „Kur i Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., thoshte diçka, e përsëriste tri herë, në mënyrë që njerëzit ta kuptonin.“
Për të ishte e rëndësishme që fjalët e tij të arrinin tek pala tjetër. Kur ishte e nevojshme, ai nuk ngurronte t’i përsëriste. Sa shumë na mungon kjo qasje sot!
Shpesh, ne shpjegojmë diçka vetëm një herë dhe menjëherë presim që të jetë e kuptueshme për të gjithë:
-Fëmija pyet sërish.
– Një person i moshuar mund të mos ketë dëgjuar mirë.
– Dikush po përballet për herë të parë me diçka që për ne është e njohur prej kohësh.
I Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., na mëson me shembullin e tij se edhe përsëritja është pjesë e një marrëdhënieje të bukur njerëzore. Dikujt i duhet pak më shumë kohë. Dikujt i duhet një shpjegim më i thjeshtë. E dikujt tjetër i duhet që t’ia përsërisim me qetësi — pa atë psherëtimë që e bën të pendohet pse pyeti.
Redaksia