Bijat e Pejgamberit: Dashuri, humbje dhe besim që e forcon zemrën e thyerAutor: Dr. Mustafa-ef. Cerić

Në emër të All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirbërësit!
Falënderimi i takon All-llahut, i Cili di çka fshehin zemrat tona dhe çka zbulojnë lotët tanë. Paqja dhe bekimi qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhammed s.a.v.s. , mbi familjen dhe shokët e tij, si dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij me sinqeritet.
Të dashur vëllezër dhe motra,
Sot, me respekt dhe dashuri, le të hedhim një vështrim në shtëpinë e të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s. . Le ta kujtojmë atë si baba: një baba që i priste bijat e tij, kujdesej për to, përballonte ndarjet prej tyre dhe qante pranë varreve të tyre.
Kur flasim për madhështinë e Pejgamberit, shpesh fokusohemi aq shumë te sukseset e tij sa i harrojmë hidhërimet e tij. Por edhe hidhërimet e tij na mësojnë. Ato i sjellin ngushëllim nënës që i ka vdekur fëmija, babait që kthehet në një dhomë të zbrazët dhe çdo njeriu që me lot në sy ka pyetur: Si do t’ia dal të jetoj pa atë që dua?
jetëshkrimi i Pejgamberit na mëson se besimi i thellë dhe pikëllimi i thellë mund të bashkëjetojnë në të njëjtën zemër.
Shtëpia e Shpalljes dhe e Provave
Ai kishte katër vajza: Zejnebin, Rukijen, Ummu Kulthumin dhe Fatimen (All-llahu qoftë i kënaqur me ato!). Nëna e tyre ishte Hazreti Hatixhja – gruaja që i besoi kur të tjerët e mohonin, e qetësonte kur ai dridhej dhe e mbështeste misionin e tij me dashurinë dhe pasurinë e saj.
Këto vajza u rritën në një shtëpi ku vinte Shpallja, por që përballonte edhe përndjekjet. Ato e dinin çmimin që paguan një familje që nuk pranon të heqë dorë nga e vërteta. Afërsia me të Dërguarin e All-llahut nuk i ruajti ato nga sëmundjet, ndarjet apo vdekja. Tri prej tyre ndërruan jetë gjatë jetës së babait të tyre, ndërsa e katërta e përjetoi largimin e tij e më pas u bashkua me ta.

Shembujt e bijave dhe ekuilibri i shpirtit

Rukija: Jeta e saj na udhëheq përmes rrugës së vështirë të hixhretit (emigrimit) në Abisini. Më vonë, ajo u martua me Uthman ibn Afanin. Kur ajo u sëmur rëndë në Medine pikërisht para Betejës së Bedrit, Pejgamberi e la Uthmanin të kujdesej për të, duke i dhënë shpërblimin e atyre që morën pjesë në betejë. Kjo na kujton se ka ibadet edhe në një gotë ujë të sjellë te koka e të sëmurit, në netët e pagjumë dhe në fjalët e ngushëllimit. Rukija ndërroi jetë pikërisht kur në Medine mbërriti lajmi për fitoren e Bedrit – një bashkim i gëzimit shoqëror me pikëllimin personal.

Zejnebi: E martuar me Ebu el-Asin, i cili fillimisht nuk e pranoi islamin. Në Bedër ai u kap rob, por Zejnebi dërgoi për lirimin e tij gjerdanin që ia kishte dhuruar Hatixhja. Pejgamberi u malltëngjye kur e pa, por tregoi drejtësi duke e kërkuar miratimin e sahabëve për ta liruar. Më vonë, Ebu el-Asi pranoi islamit dhe u bashkua me të. Zejnebi la pas vajzën Umame, të cilën Pejgamberi e mbante në namaz madje edhe gjatë sexhdes – një mësim i bukur për butësinë që duhet të kenë shtëpitë dhe xhamitë tona ndaj fëmijëve.

Ummu Kulthumi: U martua po ashtu me Uthmanin (prandaj ky i fundit u quajt Dhun-Nurejn – Pronar i Dy Dritave). Ajo ndërroi jetë në vitin e nëntë të Hixhretit. Pejgamberi u ul pranë varrit të saj me sy plotë lot, duke na lënë porosinë se sabri nuk do të thotë mungesë lotësh, por mbetje besnik ndaj All-llahut gjatë dhimbjes.

Fatimja: Që e vogël u kujdes për babanë e saj dhe më vonë përballoi jetën e vështirë e modeste me Ali ibn Ebi Talibin. Pejgamberi e mësoi atë dhe Aliun me dhikrin e famshëm para gjumit (33 herë Subhanallah, 33 herë Elhamdulillah, 33 herë Allahu Ekber) – një mbështetje për çdo besimtar të rraskapitur. Dashuria mes Pejgamberit dhe Fatimes ishte e hapur: kur ajo hynte, ai çohej në këmbë, e kapte për dore dhe e ulte në vendin e tij. Para vdekjes së tij, Pejgamberi i pëshpëriti dy herë: fillimisht e bëri të qante (kur i tregoi për vdekjen e afërt) dhe më pas e bëri të buzëqeshte (kur i tregoi se ajo do të ishte e para e familjes që do t’i bashkohej dhe se do të jetë zonja e grave në Xhennet).
Çfarë po marrim me vete?
Nga jeta e këtyre bijave dhe lotët e babait, ne nxjerrim mësime të çmuara për jetën e përditshme:

–  Më shumë butësi në familje: T’i respektojmë bijat tona, t’u japim hapësirë fëmijëve në xhami dhe të mos e fshehim dashurinë pas rreptësisë.

– Mëshirues ndaj të dëshpëruarve: Të jemi pranë atyre që qajnë pranë varreve, pa e matur besimin e tyre me “thatësinë e syve”.

– Kuptimi i drejtë i fesë: Pejgamberi humbi fëmijë, vuajti, por nuk reshti kurrë së faluri, së foluri të vërtetën dhe së qeni i mëshirshëm.
O All-llah, dërgo paqe e bekime mbi Muhammedin dhe familjen e tij! Kënaqu me Hatixhen, Zejnebin, Rukijen, Ummu Kuthumin dhe Fatimen! Ngushëllo çdo prind që lëngon për fëmijën e tij dhe na dhuro zemra që edhe në sprova mbeten të mëshirshme e të lidhura pas Teje!

Përshtatje, Redaksia