THIRRJE PËR ZGJIM

Jetojmë në një kohë përmbysjeje.

Në një kohë kur e jashtmja ngrihet mbi të brendshmen, forma mbi thelbin, materialja mbi shpirtëroren, dhe e përkohshmja mbi të përjetshmen. Njeriu i sotëm e njeh vlerën e pothuajse gjithçkaje, por kuptimin e pothuajse asgjëje. Ka mësuar ta pushtojë botën, por ka harruar ta pushtojë vetveten.

Kur’ani pikërisht për këtë paralajmëron kur thotë: “Ata dinë vetëm anën e jashtme të jetës së kësaj bote, ndërsa për botën tjetër janë të pakujdesshëm.” (Er-Rum, 7)

Njeriu sot është i rrethuar nga informacionet, por i larguar nga urtësia. I lidhur me teknologjinë, por i huaj për shpirtin e vet. Dhe prandaj shumë njerëz ndiejnë një zbrazëti të heshtur që asgjë e jashtme nuk mund ta mbushë.

Ajo që do të them tani, për disa do të tingëllojë e pazakontë, për të tjerë e tepruar, e për disa si diçka që e kanë ndier gjithmonë thellë, por kurrë nuk kanë arritur ta thonë.

Ndoshta mashtrimi më i madh i njeriut modern është bindja se ai është vetëm trup, pra një organizëm biologjik që ka lindur rastësisht dhe që një ditë thjesht do të zhduket.

Por botëkuptimi islam fillon krejt ndryshe.

Njeriu nuk është vetëm trup që posedon një shpirt.
Njeriu është shpirti të cilit përkohësisht i është dhënë një trup.

Trupi i përket tokës.
Shpirti i përket përjetësisë.

Kur’ani thotë: “Dhe kur t’i jap formë dhe t’i fryj prej Shpirtit Tim…” (El-Hixhr, 29)

Ky ajet zbulon një nga të vërtetat më të thella të ekzistencës njerëzore: njeriu nuk është vetëm materie. Në të ekziston diçka e lartë, diçka që nuk është prej kësaj bote — fryma hyjnore e jetës me të cilën është pajisur njeriu.

Kjo nuk do të thotë se njeriu është hyjni, por se prejardhja e tij nuk është vetëm tokësore. Në të ekziston fitra — natyra fillestare, e paprishur, që e njeh të Vërtetën, që mallëngjehet për kuptim, që e di intuitivisht se është krijuar për diçka më shumë se sa thjesht mbijetesa.

Kur’ani thotë: “Prandaj drejtoje fytyrën tënde nga feja, si besimtar i vërtetë — drejt natyrës së All-llahut, sipas së cilës Ai i krijoi njerëzit. Nuk ka ndryshim në krijimin e All-llahut.” (Er-Rum, 30)

Fitra është kujtesa e brendshme e shpirtit për Burimin e tij.

Prandaj njeriu, edhe kur humbet në materializëm, pushtet, hedonizëm apo egoizëm, kurrë nuk arrin ta shuajë plotësisht pyetjen që e ndjek nga brenda: Kush jam në të vërtetë?

Sepse shpirti mban mend atë që mendja harron.

Kur’ani na kujton se para ardhjes në këtë botë, shpirti tashmë e kishte dëshmuar të vërtetën: “Dhe kur Zoti yt nxori nga shpinat e bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë kundër vetvetes: ‘A nuk jam Unë Zoti juaj?’ — ata thanë: ‘Po, dëshmojmë.’” (El-A‘raf, 172)

Ndoshta pikërisht për këtë arsye e gjithë jeta njerëzore është në thelb një proces kujtese.

Jo fitimi i diçkaje të re, por kthimi te ajo që shpirti e ka ditur gjithmonë.

Bota moderne na mëson ta kërkojmë lumturinë jashtë vetes: në sukses, status, pasuri, njohje. Por shpirti nuk mund të ushqehet me atë me të cilën ushqehet egoja. Materialja mund ta kënaqë trupin, por nuk mund ta qetësojë zemrën.

Dhe zemra është vendi i takimit të njeriut me realitetin e tij shpirtëror.

Prandaj Kur’ani thotë: “Dhe zemrat, vërtet, qetësohen vetëm kur përmendet All-llahu.” (Er-Ra‘d, 28)

Ky nuk është vetëm një mesazh fetar — është një e vërtetë ekzistenciale.

Njeriu që është i shkëputur nga Krijuesi i tij mbetet i shkëputur edhe nga vetvetja.

Dhe prandaj njeriu i sotëm, pavarësisht përparimit teknologjik, bart kaq shumë shqetësim, ankth dhe zbrazëti të brendshme. Sepse qytetërimi e ka zhvilluar botën e jashtme, por e ka neglizhuar botën e brendshme.

Islami nuk e mohon trupin, materien apo dunjanë. Por i kthen në vendin e tyre të duhur. Trupi është mjet, jo identitet. Dunjaja është stacion i përkohshëm, jo destinacioni përfundimtar.

Kur’ani thotë: “Jeta e kësaj bote nuk është gjë tjetër veçse lojë dhe argëtim, ndërsa jeta e vërtetë është, me të vërtetë, në botën tjetër.” (El-‘Ankebut, 64)

Kjo nuk do të thotë të ikësh nga jeta, por ta shohësh atë drejt.

Zgjimi nuk është refuzim i botës.
Zgjimi është çlirimi nga iluzioni se kjo botë është gjithçka që ekziston.

Kur njeriu e harron natyrën e tij shpirtërore, atëherë bëhet rob i forcave të jashtme: mendimit të njerëzve të tjerë, frikës, lakmisë, pasioneve, sistemeve, egos. Por kur kthehet te Burimi i tij, atëherë kthehet te liria e brendshme.

Kur’ani pikërisht këtë e përshkruan: “Atij që largohet nga Unë, jeta do t’i jetë e vështirë…” (Ta-Ha, 124)

Ndërsa nga ana tjetër: “Ai që bën mirë, qoftë mashkull apo femër, dhe është besimtar — Ne do t’i japim një jetë të bukur.” (En-Nahl, 97)

Liria e vërtetë nuk është të bësh gjithçka që dëshiron.
Liria e vërtetë është të mos jesh rob i asgjëje përveç së Vërtetës.

Dhe pikërisht aty fillon zgjimi.

Jo në ideologji.
Jo në ego.
Jo në ndjenjën e superioritetit.
Por në njohjen e përulur të thelbit të vet.

Njeriu nuk është qendra e universit.
Por nuk është as rastësi e parëndësishme.

Ai është një qenie të cilës i është besuar amaneti i vetëdijes, lirisë dhe përgjegjësisë.

Kur’ani thotë: “Ne ua ofruam amanetin qiejve, Tokës dhe maleve, por ata u frikësuan dhe nuk e morën përsipër, ndërsa njeriu e mori përsipër…” (El-Ahzab, 72)

Kjo është madhështia dhe barra e ekzistencës njerëzore.

Te njeriu ekziston aftësia për t’u ngritur mbi egon e vet, për ta njohur të Vërtetën, për të dashur, për të qenë i mëshirshëm, i drejtë dhe i vetëdijshëm për Zotin. Por ekziston edhe mundësia që të bjerë më poshtë se pasionet e veta.

Prandaj, beteja më e madhe është ajo e brendshme.

Beteja midis shpirtit që kujton dhe egos që harron.

Midis dritës dhe errësirës brenda nesh.

Dhe ndoshta kriza më e madhe e kohës sonë është pikërisht harresa shpirtërore (gafleti). Një qytetërim që ka zotëruar atomin, por ka humbur kontaktin me shpirtin. Njerëz që dinë si të jetojnë më gjatë, por nuk dinë pse jetojnë.

Dhe Kur’ani vazhdimisht na kthen te kjo e vërtetë thelbësore: “Dhe mos u bëni si ata që e harruan All-llahun, e Ai bëri që ata ta harrojnë vetveten.” (El-Hashr, 19)

Harresa e Zotit shpie në harresën e thelbit të vetvetes. Ndërsa përkujtimi i Zotit në kthimin te vetja.

Prandaj zgjimi nuk është diçka që vjen nga jashtë.

Është kthim. Përkujtim. Kthim te fitra. Kthim te drita që ka qenë gjithmonë në njeriun.

Nën zhurmën e botës. Nën frikën. Nën egon. Nën të gjitha identitetet që kemi grumbulluar.

Ti nuk je vetëm një trup që do të zhduket.

Ti je një shpirt të cilit i është dhënë jeta për ta njohur Zotin e tij, për ta pastruar zemrën e vet dhe për t’u kthyer te Burimi prej të cilit ka ardhur.

“O shpirt i qetësuar, kthehu te Zoti yt i kënaqur, e edhe Ai me ty i kënaqur.” (El-Fexhr, 27–28)

Dhe ndoshta pikërisht ky është zgjimi përfundimtar: Të mos bëhesh diçka e re, por të kthehesh tek ajo që ke qenë gjithmonë.

Mustafa Cerić

Përkthim,
[Xhamiarabia.info]