Tregimi për sahabin më të guximshëm

Kur përmendim trimërinë, kujtojmë gjigantët:
Omerin r.a., prania e të cilit e bënte shejtanin ta ndryshonte rrugë.
Aliun r.a., shpata e të cilit mbillte frikë në zemrat e armiqve.
Hamzën r.a., luanin e Uhudit, i cili me zemër e mbronte të vërtetën.
Dhe Halid ibn Velidin r.a., “Shpatën e All-llahut”, i cili nuk u dorëzua as përballë mijëra ushtarëve dhe që kurrë nuk e humbi asnjë betejë që e udhëhoqi.
Të gjithë ata janë shembuj të forcës, trimërisë, vendosmërisë dhe luftës në rrugën e Zotit. Por kjo nuk është histori për ta, për heronj të tillë, por histori për një hero tjetër. Për një njeri që nuk e ngriti shpatën, por fjalën. Emri i tij është Ebu Ejub El-Ensari r.a. Një njeri, shtëpia e të cilit u bë strehë për të Dërguarin e All-llahut a.s. pasi ai bëri hixhretin.
Në ditët kur mbi Medinë u ngrit një re intrigash dhe dyshimesh, kur shtëpitë pëshpërisnin, zemrat dridheshin dhe gjuhët viheshin në provë… kur hipokritët përhapnin gënjeshtra për Aishen e ndershme, bashkëshorten e të Dërguarit të All-llahut a.s., gënjeshtra se ajo kishte bërë zina.
Në një kohë të tillë, Ebu Ejubi ishte ulur me bashkëshorten e tij.
Ajo e pyeti me zë të ulët:
“A ke dëgjuar çfarë po thonë njerëzit për Aishen?”
Ai e shikoi qetë, por me vendosmëri, dhe tha:
“Po. Por kjo nuk është e vërtetë. Më thuaj, a do ta bëje ti ndonjëherë një gjë të tillë?”
Ajo tha:
“Jo, për All-llahun!”
Atëherë ai iu përgjigj me fjalë që mbetën të shkruara ndër reagimet më të ndershme në histori:
“E pra, nëse ti nuk do ta bëje këtë, si do ta bënte Aishja, ndërsa ajo është më e mirë se ti.”
Le të jemi të sinqertë: kjo nuk është një fjali që dikush prej nesh do të guxonte ta thoshte lehtë në shtëpinë e vet. Duhet më shumë trimëri sesa të qëndrosh përballë një ushtrie!
Është e lehtë të lëvizësh shpatën, por o trim, thuaji bashkëshortes sate atë që Ebu Ejubi i tha bashkëshortes së tij.
Kjo është trimëri e zemrës, jo e muskujve. Kjo është trimëria e atyre që e mbrojnë të vërtetën, edhe kur kjo mund t’u kushtojë qetësinë në shtëpi. Bëhu Ebu Ejub, nëse guxon.

Përkthim redaksia,
[Xhamiarabia.info]