Vlera e vëllazërisë në emër të All-llahut

Vëllazëria në emër të All-llahut është një dhuratë nga Ai i Madhërishmi. Ajo është e pandashme nga imani dhe lidhet ngushtë me devotshmërinë ndaj All-llahut. Ka ndikim të madh në gjendjen sociale të një shoqërie dhe lidhjen mes anëtarëve të tij. I Madhërishmi ka premtuar shpërblim të madh për ata që e kultivojnë këtë vëllazëri. Gjithashtu, Ai i ka përmendur vlerat e mëdha të atyre që e zbatojnë atë. Kjo i nxit bijtë e islamit që ta realizojnë në mënyrën më të bukur dhe ta ruajnë atë, në mënyrë që të bëhen besimtarë të pastër dhe bamirës të devotshëm.

Vëllezërit e mi në besim, ju ofroj udhëzimet më të bukura që na vijnë nga Pejgamberi, të cilat tregojnë për fisnikërinë dhe vlerën e vëllazërisë në islam dhe për ata që  e duan njëri-tjetrin për hir të All-llahut:

Fytyrat e tyre do të jenë prej dritës

Pejgamberi s.a.v.s tha: “Ka robër të All-llahut që nuk janë as pejgamberë as shehidë, por pejgamberët dhe shehidët do t’ua kenë zili në Ditën e Gjykimit për pozitën që do të kenë pranë All-llahut të Mëshirshëm.” Njerëzit pyetën: “O i Dërguar i All-llahut, a do të na thuash kush janë ata?” Ai tha: “Janë ata që u deshën për hir të Tij. Nuk i lidhte asnjë lidhje familjare, as interesi i kësaj bote. Fytyrat e tyre do të jenë prej dritës. Ata nuk do të kenë frikë në Ditën që të tjerët do të kenë frikë, dhe nuk do të pikëllohen kur të tjerët do të pikëllohen.” (Ebu Davud)

Atyre do t’u falen mëkatet
I Dërguari i All-llahut thotë: “Kur muslimani e takon vëllanë musliman dhe token, mëkatet e tyre bien si gjethet e thata që bien nga pemët kur fryn era e fortë, dhe u falen mëkatet, edhe nëse janë sa shkuma e detit.” (Et-Taberani)

Do të jenë në hijen e Arshit të All-llahut

Pejgamberi s.a.v.s. tha: “All-llahu i Madhërishëm në Ditën e Gjykimit do të thotë: ‘Ku janë ata që u deshën për hirin tim? Sot do t’i fus në hijen time, dhe nuk do të ketë tjetër hije.’” (Muslim)

Gjithashtu thuhet se ata që duan njëri-tjetrin për hir të All-llahut do të jenë nga shtatë grupet të cilët do të jenë në hijen e All-llahut në Ditën kur nuk do të ketë tjetër hije (dy veta që u deshën për hir të All-llahut, u takuan dhe u ndanë për hir të Tij).
Janë nën mbrojtjen e dashurisë së All-llahut 
Pejgamberi s.a.v.s. transmeton se All-llahu i Madhërishëm tha: “Dashuria ime sigurisht i përket atyre që duan njëri-tjetrin, që vizitojnë njëri-tjetrin dhe ndihmojnë njëri-tjetrin për hirin tim.” (Maliku)

I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. thotë: “Një njeri shkoi për ta vizituar vëllanë e tij musliman në një fshat tjetër, dhe All-llahu i Madhërishëm dërgoi një melek që ta takonte në rrugë. Kur u takuan, meleku e pyeti: ‘Ku po shkon?’ Njeriu u përgjigj: ‘Dua ta vizitoj vëllanë tim musliman që jeton në këtë fshat.’ Meleku e pyeti: ‘A pret ndonjë përfitim të kësaj bote prej tij?’ ‘Jo,’ -u përgjigj njeriu- ‘e dua për hir të Zotit tim.’ Atëherë meleku tha: ‘Unë jam i dërguari i All-llahut. Kam ardhur të të njoftoj se All-llahu i Lartësuar të do, ashtu si e do vëllanë tënd.’” (Muslim)
Janë banorë të Xhennetit dhe do ta arrijnë kënaqësinë e All-llahut

Pejgamberi tha: “Kush viziton të sëmurin ose viziton vëllanë e tij në besim, meleku e thërret dhe i thotë: ‘Sa i mrekullueshëm je ti dhe hapat e tu; ke merituar vend në Xhennet!’” (Tirmidhi)

Do ta ndiejnë shijen e vërtetë të imanit

Pejgamberi s.a.v.s. tha: “Njeriu do ta ndiejë shijen e vërtetë të imanit kur te ai të jenë tre gjëra: ta dojë All-llahun dhe të Dërguarin e Tij më shumë se çdo gjë tjetër, ta dojë vëllanë e tij musliman vetëm për hir të All-llahut, dhe ta urrejë kthimin në kohën e injorancës (xhahilijetit) ashtu si urrejnë të hidhen në zjarrin e Xhehennemit.” (Buhariu dhe Muslimi)

Përmes vëllazërisë arrihet: drita dhe shija e imanit, mëkatet bien si gjethet e thata që bien nga degët në ditë me erë; All-llahu për shkak të saj do t’i fusë njerëzit në hijen e Tij në Ditën kur nuk do të ketë hije tjetër.

Është një pamje madhështore kur besimtari i jep dorën vëllait të tij në besim, kur takohen shpirtërat që synojnë ruajtjen e vëllazërisë dhe dashurisë. Pozita e tyre pranë All-llahut të Madhërishëm është e mrekullueshme, sepse është arritur në rrugën e vëllazërisë, dashurisë dhe miqësisë së sinqertë për hir të All-llahut.

Autori: Abdullah Nasih Ulvan
Redaksia,
[Xhamiarabia.info]