A lejohet përdorimi i ndihmesave (p.sh. karriges) për kryerjen e namazit?!

Pyetja
Vërehet se në xhami po shtohet përdorimi i mjeteve ndihmëse gjatë faljes së namazit: tabure, karrige të vogla, karrige me mbështetëse etj. Kohët e fundit janë paraqitur edhe karrige të posaçme të palosshme me vend për sexhde. Shumë prej atyre që i përdorin këto mjete qëndrojnë jashtë saffit (radhës) dhe nuk dëshirojnë të rreshtohen me xhemat. Po ashtu, vërehet se disa i përdorin pa ndonjë arsye të justifikuar.

Duke parë se kjo dukuri po përhapet dhe po ndikon në pamjen e brendshme të xhamive, kërkohet mendimi i Këshillit të Fetvave, në mënyrë që të merret një qëndrim i unifikuar dhe të zbatohet përmes imamëve dhe këshillave të xhamive. Gjithashtu kërkohet që kjo çështje të trajtohet edhe në hutbe.

Përgjigjja
Këshilli i Fetvave falënderon për kujdesin dhe vërejtjen e drejtë. Me të vërtetë ka ardhur koha që të ndalet praktika e gabuar e futjes së karrigeve, stolave dhe mjeteve të tjera ndihmëse në xhami, sepse kjo cenon thjeshtësinë dhe bukurinë e shtëpive të All-llahut. Edhe në kohët e mëhershme ka pasur njerëz me vështirësi fizike, por nuk ka ekzistuar një praktikë e tillë.

Kjo mënyrë nuk ka bazë në Sheriat, nuk është transmetuar nga Pejgamberi (salallahu alejhi ve selam) dhe as nga sahabët, nuk është e pranishme në këtë formë në botën islame dhe nuk ka qenë traditë as në vendet tona. Prandaj, është e domosdoshme që kjo praktikë të ndërpritet dhe xhamitë të kthehen në gjendjen e tyre natyrore, pa mjete që i ngjajnë objekteve të adhurimit të feve të tjera.

Udhëzime për ata që kanë vështirësi fizike:

  • Personat me vështirësi fizike që dëshirojnë të falin namazin në xhami, le të qëndrojnë në fund të saffit dhe të përpiqen t’i kryejnë ruknet e namazit sipas mundësisë: qëndrimin në këmbë, rukunë, sexhden dhe uljen.
  • Nëse nuk munden, le të falen ulur brenda saffit, duke u përkulur pak për ruku dhe pak më shumë për sexhde, pa përdorur mjete për të bërë sexhde.
  • Nëse as këtë nuk e munden, atëherë nuk janë të obliguar të falin në xhami dhe mund ta falin namazin në shtëpitë e tyre, me lejen e All-llahut.

Këshilli thekson se do të kishte qenë më e lehtë të parandalohej kjo dukuri sesa të korrigjohet tani, por megjithatë shpresohet se xhemati do ta mirëkuptojë këtë udhëzim dhe do të kontribuojë në ruajtjen e rregullit dhe bukurisë së xhamive.

Ky qëndrim nuk është kundër personave me vështirësi fizike – përkundrazi, synon t’i ndihmojë ata të jenë pjesë e saffit dhe të ruhet nderi dhe madhështia e shtëpive të All-llahut.

Redaksia,
[xhamiarabia.info]