21/365 – Si i vizitonte Muhammedi s.a.v.s. të sëmurët?

Kur i Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., shkonte për të vizituar një të sëmurë, ai nuk mjaftohej me fjalë boshe.
Ibn Abbasi, r.a., transmeton se Pejgamberi s.a.v.s. gjatë vizitës i thoshte të sëmurit: “Nuk ka problem, është pastrim [nga gjynahet], nëse dëshiron All-llahu.” (E transmeton Buhariu).
Me pak fjalë, ai i dhuronte të sëmurit atë për të cilën ka më së shumti nevojë — shpresën.
Përballja me sëmundjen është tashmë e rëndë. Në ato çaste, njeriu nuk ka nevojë për dikë që ta frikësojë edhe më shumë, t’i tregojë për sëmundjet e të tjerëve apo t’i kujtojë gjithçka që mund të shkojë keq.
I Dërguari i All-llahut, s.a.v.s., zgjidhte fjalë të tjera — fjalë që qetësojnë dhe që i kujtojnë të sëmurit se asnjë dhimbje e tij nuk shkon dëm te All-llahu.
Bashkë me fjalën e ngrohtë vinte edhe lutja. Ai i lutej All-llahut që t’ia largonte vështirësinë dhe t’i dhuronte shërim të plotë.
Prandaj, vizita e të sëmurit është shumë më tepër se një thjesht prani fizike. Shko tek ai në mënyrë të tillë që, pas largimit tënd, ai të ndihet paktën pak më i lehtësuar.


Redaksia