Trashëgimia Shpirtërore e Osman Gaziut për Orhanin

Osman Gaziu përgatiti një nasihat të famshëm për të birin, Orhan Gaziun, i cili e vizitoi pak para pushtimit të Bursës. Ky është një dokument i rëndësishëm që tregon mbi sa themele të forta dhe të drejta ishte ngritur ky shtet:

Biri im, Orhan!
Para çdo pune, kushtoji vëmendje detyrimeve fetare. Kujdesi ndaj farzeve forcon fenë dhe shtetin. Mos ua beso çështjet fetare njerëzve të pakujdesshëm, pa përvojë, apo atyre që devijojnë nga besimi dhe nuk ruhen nga mëkatet e mëdha. Mos u jep poste shtetërore njerëzve të tillë, sepse ai që nuk i frikësohet Krijuesit, nuk i frikësohet as krijesave.

Ruaju nga padrejtësia dhe risitë e këqija. Largoji nga shteti ata që i nxisin, sepse do të të çojnë në shkatërrim.

Përpiqu ta zgjerosh shtetin me xhihad. Nëse për një kohë të gjatë nuk ka luftë, dobësohet guximi i ushtarëve dhe aftësia e komandantëve. Ata që njohin artin e luftës largohen, dhe në vend të tyre vijnë të pa përvojë, gjë që sjell gabime të rënda për shtetin.

Ruaje pasurinë shtetërore (Bejtul-malin). Shto pasurinë e shtetit dhe shpenzoje me modesti, pa shpërdorim. Mos u kreno me pasurinë para ushtarëve, sepse ata janë mjeti me të cilin do të mbrosh fenë dhe popullin, duke përhapur drejtësinë dhe mirëqenien.

Nderoji shtetarët që punojnë me përkushtim për kënaqësinë e All-llahut. Pas vdekjes së tyre, kujdesu për fëmijët e tyre dhe plotësoju nevojat. Mos uzurpo pasurinë e askujt. Ji i mëshirshëm me ata që e meritojnë dhe ndihmoji familjet e tyre.

Ruaji komandantët e tu. Dijetarët, artistët, letrarët dhe njerëzit fisnikë janë forca e shtetit. Me ta ji i butë dhe bujar.

Nëse dëgjon për ndonjë njeri të urtë, lidh miqësi me të, ndihmoje dhe bëji mirë. Le të ketë në qeverinë tënde dijetarë, njerëz fisnikë dhe ekspertë, që politika dhe feja të jenë në harmoni.

Më merr mua si shembull: unë erdha në këto troje si një beg i dobët, por All-llahu më mbuloi me mirësi. Edhe ti ec në rrugën time.

Ruaje fenë e Muhammedit dhe të shokëve të tij. Kujdesu për të vërtetën e All-llahut dhe për të drejtat e robërve. Mos e lër këtë këshillë pa ua përcjellë atyre që do të vijnë pas teje.

Në çdo punë, mbështetu në ndihmën e All-llahut. Ruaje popullin nga armiqtë dhe nga padrejtësia. Mos u sill padrejtësisht ndaj askujt. Ji i butë me popullin dhe fito kënaqësinë e tij.

Redaksia,