Abdullah ibnul Mubareku ka thënë:
„E kërkova dijen për hir të dunjalukut, por ajo më udhëzoi ta braktis atë.“
Me këtë thënie, ai tregon se në fillim e kërkonte dijen për të siguruar jetesën — siç bëjnë shumica e njerëzve. Megjithatë, dija e mësoi të bëjë zuhd ndaj të mirave materiale dhe ta orientojë punën e tij për Ahiretin, me synimin e vetëm: fitimin e kënaqësisë së All-llahut.
Në fillim mendonte se pasuria kishte vlerë të veçantë sepse njerëzit garonin për të. Por përmes dijes zbuloi se dunjaluku është thjesht një arë ku mbillen veprat për botën e ardhshme, Ahiretin. Ai që mashtrohet pas saj, shkatërrohet.
Zuhdi nuk domethënë dorëzim ndaj varfërisë.
Abdullah ibnul Mubareku njihej si njeri i pasur; zuhdi i tij ishte në zemër. Ai vazhdoi të punonte e të fitonte, por pasurinë e përdorte si mjet për t’i fituar të mirat e Ahiretit.
Ngjashëm me këtë, nga gjeneratat e para transmetohet edhe thënia:
„E kërkuam dijen jo për hir të All-llahut, por ajo refuzoi të jetë për diçka tjetër përveçse për Hir të Tij.“
Kjo tregon se edhe pse fillimi i kërkimit të dijes mund të mos ketë pasur sinqeritet të plotë (ihlas), vetë dija ua hapi zemrën dhe i udhëzoi ta kërkojnë atë vetëm për All-llahun.
O Zoti ynë, na mëso atë që na bën dobi, na bëj të përfitojmë nga ajo që na mësove dhe na e shto dijen e hajrit! Bëj që kërkimi i dijes sonë të jetë me ihlas (sinqeritet) vetëm për Ty. Falënderimi i qoftë All-llahut në çdo gjendje dhe tek Ai kërkojmë mbrojtje nga dënimi i zjarrit. Amin!
Redaksia