Autor: Hafiz Sulejman Bugari
Fajtori kryesor për problemet tona është shejtani, të cilin e kemi lejuar të hyjë në oborrin e zemrës sonë përmes shtatë portave të saj. Si hyn ai dhe si t’i mbajmë këto porta të mbyllura?
EDEBI (Edukata e mirë): Është porta e parë ku shejtani përgjon. Ai na pëshpërit: “Kjo nuk është as farz e as sunet, përse ta bësh?” Derisa besimtari e braktis edebin e bukur. Pasi pushton këtë portë, shejtani vendos rojet e tij dhe vazhdon më tej.
SUNNETI: Pasi merr edebin, ai na bind se sunneti nuk është i obligueshëm. Pak nga pak, nga përtacia, njeriu e lë sunetin e çdo namazi, derisa e braktis tërësisht.
VAXHIBI: Më pas e sulmon vaxhibin: “S’ke pse fal vitrin apo namazet e bajramit.” Imani tronditet dhe njeriu i lëshon edhe vaxhibet.
FARZI: Tani e ka më të lehtë. Njeriu fillimisht lë një farz, pastaj dy, derisa e braktis namazin, agjërimin, zekatin e haxhin. Por shejtani nuk mjaftohet me kaq.
HARAMI: Kur njeriu dobiësohet nga mungesa e farzeve, shejtani e nxit drejt haramit: “Vetëm një gotë alkool nuk prish punë, bixhozi ‘me masë’ është në rregull…” Kështu, njeriu fillon ta dojë dynjanë e ta urrejë Ahiretin.
FITIMI HARAM: Me rënien në haram, edhe fitimi e shpenzimi i riskut bëhen haram. Imani i njeriut fillon të shuhet plotësisht.
SHEHADETI: Në fund, shejtani e çon njeriun të dyshojë në ringjallje e llogaridhënie, derisa të rebelohet plotësisht ndaj Krijuesit. Atëherë shejtani e ka përmbushur misionin e tij.
Me çdo portë të humbur, kthimi bëhet më i vështirë. Mos ia hapni dyert shejtanit! E nëse ka hyrë, kërkoni ndihmën e All-llahut, dëbojeni dhe mbyllini portat.
I lutemi All-llahut të na udhëzojë në Rrugën e Drejtë dhe të na dhurojë zemër të shëndoshë. Amin!
Përshtatur nga Redaksia