52/365 — Si vepronte Muhammedi s.a.v.s. kur dikush e pranonte me sinqeritet gabimin e vet?

Ka’b ibn Malik (r.a.) bëri një gjynah të madh.
Pa asnjë arsyetim, ai nuk mori pjesë në ekspeditën e Tebukut.
Kur Pejgamberi s.a.v.s. u kthye në Medinë, njerëzit që kishin munguar filluan t’i shkonin pranë e ta arsyetonin mungesën.

Ka’bi mund ta bënte të njëjtën gjë.
Siç thotë edhe vetë, ai ishte mjaft gojëtar për të shpikur një ngjarje me të cilën do të arsyetohej.
Por nuk veproiashtu.
U ul përballë Pejgamberit s.a.v.s. dhe pranoi: „Pasha All-llahun, nuk kisha asnjë arsyetim.“
Pejgamberi s.a.v.s. nuk e minimizoi gabimin e tij.
Por, menjëherë e çmoi atë që ishte më me vlerë në atë çast:
„Ky tha të vërtetën.“

Ka’bi kaloi një periudhë shumë të vështirë për shkak të gabimit të tij.
Pesëdhjetë ditë pritjeje.
Pesëdhjetë ditë gjatë të cilave i dukej se edhe Toka e gjerë i ishte bërë e ngushtë.

Pastaj erdhi lajmi se All-llahu ia kishte pranuar pendimin.
Kur shkoi te Pejgamberi s.a.v.s. , fytyra e Tij rrezatonte nga gëzimi.
I Dërguari I All-llahut s.a.v.s.  i tha: *„Gëzohu për ditën më të lumtur për ty që kur të ka lindur nëna!“

Ka’bi gaboi.
Por nuk tentoi ta shpëtonte veten me gënjeshtër.
Dhe pikërisht e vërteta në fund e shpëtoi.
Gabimin mund ta përmirësojmë.
Por nëse mbi të vendosim një gënjeshtër, krijojmë edhe një gjynah tjetër që kërkon teube dhe istigfar.

Redaksia