Pas betejës së Hunejnit, i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. e shpërndante plaçkën e luftës. Ai u dha dhurata të mëdha njerëzve që sapo e kishin pranuar Islamin ose zemrat e të cilëve dëshironte t’i përfitoj, ndërsa ensarëve nuk u dha asgjë.
E pikërisht ensarët ishin ata që e pritën në Medinë, e mbrojtën dhe i qëndruan pranë atëherë kur ishte më e vështirë. Të prekur nga kjo, ata u lënduan.
Kur i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. mori vesh për shqetësimin e tyre, nuk i quajti mosmirënjohës dhe as nuk tha se nuk kishin të drejtë të lëndoheshin. Ai i mblodhi veçmas dhe foli me ta me zemër në dorë. Pastaj u tha:
“A nuk jeni të kënaqur që njerëzit të kthehen me dele e deve, ndërsa ju të ktheheni në shtëpitë tuaja me të Dërguarin e All-llahut?”
(Transmeton Abdullah ibn Zejdi r.a. — shënojnë Buhariu dhe Muslimi)
Ensarët qanë aq shumë, saqë mjekrat e tyre u lagën me lot. Morën një përgjigje që u tregoi se sa shumë rëndësi kishin për të.
Kjo ngjarje zbulon një cilësi të madhe të të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s. Kur njerëzit e tij të afërt u lënduan, ai nuk i shpërfilli ndjenjat e tyre. Foli me ta, ua shpjegoi arsyen e vendimit dhe u kujtoi vendin e veçantë që gëzonin pranë tij.
Shumë marrëdhënie sot shkatërrohen sepse njerëzit përpiqen me çdo kusht të provojnë se kush ka të drejtë, duke harruar të pyesin: “Çfarë të lëndoi?”
I Dërguari i All-llahut s.a.v.s. nuk i humbi ensarët për shkak të një vendimi; përkundrazi, përmes dialogut dhe mirëkuptimit, ai i afroi edhe më shumë pranë vetes.
Redaksia