Borxhi mund të jetë i rëndë edhe kur askush nuk e përmend. E veçanërisht kur njeriu dëshiron ta kthejë atë që ka borxh, por thjesht s’ka nga t’ia fillojë.
Pejgamberi a.s. na mësonte që njeriut të tillë të mos ia shtojmë barrën.
Ai ka thënë: “Kush ia shtyn afatin e kthimit të borxhit atij që nuk është në gjendje ta kthejë, ose ia fal atë, All-llahu do ta vendosë në hijen e Arshit të Tij Ditën e Kijametit, kur nuk do të ketë hije tjetër.” (Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ahmedi nga Ebu Hurejra r.a.)
Shpërblim i madh për diçka që në shikim të parë duket krejt e thjeshtë:
T’i japësh njeriut kohë.
Të mos e telefonosh çdo ditë.
Të mos e poshtërosh para të tjerëve.
Të mos flasësh poshtë e lart se sa të ka borxh.
Nëse kemi mundësi, t’i falim një pjesë ose të gjithë borxhin.
Sepse nuk është njësoj kur njeriu nuk do të kthejë borxhin dhe kur vërtet nuk ka me çfarë ta kthejë.
Pejgamberi a.s. na mësonte ta dallojmë këtë.
Ndoshta neve disa muaj pritjeje na duken shumë, por te All-llahu mund të vlejnë aq shumë, sa për shkak të tyre të na dhurohet hije në Ditën kur do të na duhet më shumë se kurrë.
Redaksia